Tani, të gjithë shërbyesit civilë do të trajnohen për siguri kibernetike përmes platformës digjitale e cila u lansua sot!
Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, përmes Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP), me mbështetjen e Agjencisë së Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor – LuxDev, lansoi sot Platformën e Trajnimeve për Siguri Kibernetike për Shërbyesit Civil.
Në ceremoninë e lansimit, Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, theksoi rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe institucionale në fushën e sigurisë kibernetike, duke vënë në pah rolin e shërbyesve civilë në mbrojtjen e sistemeve dhe të dhënave publike.
Ai theksoi se programi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt avancimit të zhvillimit profesional në administratën publike, përmes modelit të e-mësimit dhe zhvillimit të shkathtësive digjitale në nivel institucional.
I ngarkuari me punë në Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë, z. Eric Dietz, vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional dhe rëndësinë e investimit në institucione publike më të forta, më të sigurta dhe më elastike përballë sfidave digjitale.
Gjatë aktivitetit u mbajt edhe panel diskutimi me temën “Rëndësia strategjike dhe roli i sigurisë kibernetike në sektorin publik”, me pjesëmarrjen e ekspertëve dhe përfaqësuesve institucionalë të fushës.
Platforma e trajnimeve do të shërbejë si një mjet i rëndësishëm për avancimin e njohurive dhe aftësive profesionale të shërbyesve civilë në fushën e sigurisë kibernetike.