Lansohet Platforma Nacionale eID dhe Kuleta Digjitale e Kosovës – Një kapitull i ri në transformimin digjital të vendit

Lansohet Platforma Nacionale eID dhe Kuleta Digjitale e Kosovës – Një kapitull i ri në transformimin digjital të vendit

Sot, Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, lansuan Platformën Nacionale të Identifikimit Elektronik (eID) dhe Kuletën Digjitale të Kosovës, një nga shtyllat më të rëndësishme të transformimit digjital të vendit.

Në fjalën e tij, Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike theksoi se kjo platformë krijon mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset që të identifikohen në mënyrë të sigurt, të nënshkruajnë dokumente elektronikisht dhe të kryejnë shërbime e transaksione nga distanca, pa pasur nevojë për paraqitje fizike apo dokumente në letër.

Ministri bëri të ditur se nga e hëna, qytetarët mund të pajisen me identitet elektronik në shtatë qendrat rajonale të Agjencisë së Regjistrimit Civil, ndërsa në vazhdim ky shërbim do të zgjerohet edhe në komunat e tjera. Identiteti elektronik ruhet në Kuletën Digjitale të Kosovës, të disponueshme për telefonat Android dhe iOS, ndërsa aplikacioni eSign mundëson nënshkrimin elektronik të dokumenteve nga telefoni apo kompjuteri.

Ai theksoi se identiteti elektronik tashmë është integruar me platformën eKosova, duke mundësuar kyçje të sigurt pa fjalëkalim dhe nënshkrim elektronik të dokumenteve. Një nga përdorimet e para konkrete është integrimi i nënshkrimit elektronik në procesin e regjistrimit të bizneseve.

Sipas Ministrit, kjo është faza e parë e një infrastrukture digjitale që do të pasohet me zgjerimin e përdorimit të platformës në shërbime publike dhe private, lëshimin e vulave elektronike për biznese dhe organizata, si dhe vazhdimin e harmonizimit me kornizën evropiane të identitetit digjital, me synimin që këto shërbime në të ardhmen të mund të përdoren edhe përtej kufijve.

Ministri vlerësoi se realizimi i projektit është rezultat i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes së partnerëve.

Ai shprehu mirënjohje për Ministrinë e Ekonomisë, ku fillimisht u iniciua ky projekt, Agjencinë e Regjistrimit Civil, Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve dhe Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit për kontributin dhe integrimet e realizuara. Gjithashtu, falënderoi task-forcën ndërinstitucionale dhe të gjitha ekipet që kanë punuar për finalizimin e kësaj faze.

Një falënderim të veçantë Ministri ia drejtoi Bashkimit Evropian për financimin e projektit përmes fondeve IPA, si dhe konsorciumit të kontraktuar për implementimin e platformës.

Në përmbyllje, Ministri theksoi se vlera e kësaj platforme do të matet me përdorimin e saj: me çdo shërbim të ri të integruar, me çdo biznes që e përdor dhe me çdo qytetar që mund ta kryejë një proces në mënyrë të sigurt, pa pasur nevojë të paraqitet fizikisht.

Ai shtoi se me këtë lansim, qytetarëve u vihet në dispozicion një mjet i ri për një jetë digjitale më të thjeshtë, më të sigurt dhe më praktike.

Lansohet Platforma Nacionale eID dhe Kuleta Digjitale e Kosovës – Një kapitull i ri në transformimin digjital të vendit
wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors