U mbajt punëtoria për hartimin e Planit të Veprimit të Strategjisë së Sigurisë Kibernetike 2026–2027!
Siguria kibernetike nuk ndërtohet vetëm me teknologji. Ajo kërkon vizion strategjik, politika të qarta,
kapacitete profesionale dhe, mbi të gjitha, bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe
partnerëve. Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, hapi sot punëtorinë
dyditore për hartimin e Planit të Veprimit të Strategjisë së Sigurisë Kibernetike 2026–2027, të
organizuar nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike me mbështetjen e LuxDev. Në
fjalën e tij, ministri Jagxhiu theksoi se Strategjia e Sigurisë Kibernetike, e miratuar në tetor të vitit
2023, mbetet dokumenti udhërrëfyes për zhvillimin e kësaj fushe. Ai nënvizoi se deri më tani rreth
66% e aktiviteteve të strategjisë janë realizuar plotësisht ose pjesërisht, duke dëshmuar angazhimin
e institucioneve në zbatimin e saj. Ministri vlerësoi se zhvillimet e shpejta teknologjike, përfshirë
Inteligjencën Artificiale, po krijojnë mundësi të reja, por edhe sfida që kërkojnë përgjigje të
koordinuar dhe planifikim strategjik. Ai theksoi se kalimi i përgjegjësive për sigurinë kibernetike në
Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike krijon një mundësi të rëndësishme për të
intensifikuar fokusin institucional dhe për të përshpejtuar zbatimin e prioriteteve në këtë fushë.
Gjatë punëtorisë do të vlerësohet progresi i deritanishëm në zbatimin e Strategjisë, do të
identifikohen aktivitetet që duhet të përmbushen deri në përfundim të periudhës së saj dhe do të
përcaktohen prioritetet që do të udhëheqin investimet dhe planifikimin për periudhën në vijim. Po
ashtu, u bë e ditur se në fillim të vitit të ardhshëm do të nisë procesi i hartimit të Strategjisë së re të
Sigurisë Kibernetike, me synim forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve shtetërore dhe rritjen e
rezistencës së Kosovës ndaj kërcënimeve kibernetike.