Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, priti në takim Kryeshefen Ekzekutive të Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, priti në takim Kryeshefen Ekzekutive të Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, me të cilën diskutoi për prioritetet e Qeverisë në fushën e komunikimeve elektronike dhe projektet strategjike për forcimin e infrastrukturës digjitale në mbështetje të transformimit digjital të vendit.

Ministri Jagxhiu e njoftoi Kryeshefen Ekzekutive me fushat e përgjegjësisë dhe prioritetet e Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, e cila tashmë ka në përgjegjësi edhe hartimin e politikave në fushën e komunikimeve elektronike dhe postare. Ai theksoi rëndësinë e miratimit të Ligjit të ri për Komunikimet Elektronike, i cili është hartuar dhe së shpejti do të dalë në konsultim publik. Ky ligj do të harmonizojë legjislacionin e Kosovës me Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike dhe do të mundësojë transpozimin e Aktit të Bashkimit Evropian për Infrastrukturën Gigabitëshe (Gigabit Infrastructure Act), në përputhje me zotimet e Kosovës në kuadër të Agjendës së Reformave.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për projektin në kuadër të Kornizës Investive për Ballkanin Perëndimor (WBIF) për zgjerimin e rrjeteve me kapacitet shumë të lartë (VHCN), si dhe për projektin e financuar nga Banka Botërore për zgjerimin e mbulimit me rrjetin 5G përgjatë korridoreve kryesore të transportit në vend.

Vëmendje e veçantë iu kushtua sigurisë kibernetike dhe rëndësisë së zbatimit të masave të sigurisë nga operatorët e infrastrukturës kritike, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Ligji për Siguri Kibernetike.

Po ashtu, u diskutua për negociatat dhe përgatitjet për procesin e përfshirjes së Kosovës në iniciativën e Bashkimit Evropian “EU Roam Like at Home”. Ministri Jagxhiu theksoi se ky proces, i cili do të rezultojë me largimin e kostove të roamingut ndërmjet Kosovës dhe vendeve të BE-së, përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian dhe do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët e Kosovës

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors