Në takimin e punës mes Ministrit Jagxhiu dhe Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), u diskutuan prioritetet e sektorit të komunikimeve elektronike, avancimi i legjislacionit dhe projektet kryesore që kontribuojnë në zhvillimin digjital të vendit.
Në fokus të takimit ishte edhe Agjenda e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian dhe roli i ARKEP-it në përmbushjen e obligimeve që dalin nga ky proces. U vlerësua progresi i Kosovës në fushën e teknologjisë 5G, ku mbulueshmëria ka arritur rreth 70% të popullsisë, duke tejkaluar objektivin e përcaktuar në Agjendën e Reformave.
Gjithashtu, u diskutua rëndësia e përdorimit efikas të brezit frekuencor për zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit 5G në të gjithë territorin e Kosovës, si dhe procesi i integrimit të Kosovës në zonën EU Roam Like at Home, që synon heqjen e tarifave të roamingut ndërmjet Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Evropian.
Bordi i ARKEP-it rikonfirmoi gatishmërinë dhe përkushtimin për të ndërmarrë hapat e nevojshëm, në kuadër të kompetencave të tij, dhe për të kontribuar në përmbushjen e kërkesave që lidhen me këtë proces.
Komunikimet elektronike mbeten një shtytës kyç i transformimit digjital të Kosovës.



