Në kuadër të Paris Cyber Summit, Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, mori pjesë në një sesion strategjik të mbyllur të udhëhequr nga James Appathurai, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s për Inovacionin, Kërcënimet Hibride dhe Sigurinë Kibernetike.
Sesioni, i organizuar në një format të kufizuar me pjesëmarrjen e një numri të përzgjedhur vendimmarrësish, politikëbërësish dhe ekspertësh ndërkombëtarë të sigurisë kibernetike nga Evropa dhe SHBA, u fokusua në ndikimin gjithnjë e më të madh të reziliencës kibernetike në sigurinë kombëtare, mbrojtjen kolektive dhe qëndrueshmërinë e shteteve përballë sfidave të reja të sigurisë.
Diskutimet trajtuan evoluimin e kërcënimeve hibride, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, ndikimin e inteligjencës artificiale në siguri dhe mbrojtje, si dhe nevojën për koordinim më të ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore, aleatëve dhe sektorit privat për t’iu përgjigjur sfidave të reja të epokës digjitale.
Gjatë diskutimit, ministri Jagxhiu theksoi synimin e Kosovës për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO, duke vlerësuar se ky proces do të kontribuonte në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Po ashtu, ai nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në mekanizmat e Bashkimi Evropian dhe NATO-s në fushën e sigurisë kibernetike edhe para anëtarësimit të plotë. Forcimi i kapaciteteve të sigurisë kibernetike dhe thellimi i bashkëpunimit me partnerët euroatlantikë mbeten prioritete strategjike për Kosovën, në funksion të mbrojtjes së institucioneve, infrastrukturës kritike dhe qytetarëve në një mjedis gjithnjë e më kompleks të sigurisë.







