Takimet e ndara me Organizatën e Japonisë për Tregti të Jashtme (JETRO), Federatën e Bizneseve të Japonisë (Keidanren) dhe Institutin Japonez për Investime të Jashtme (JOI) konfirmuan gatishmërinë e dyanshme për rritjen e bashkëpunimit ekonomik të të dy vendeve me fokus në sektorin e TIK-ut.
Në takimin e Ministrit të Digjitalizimit dhe Administratës Publike, z. Lulëzon Jagxhiu, i pritur nga Presidenti, Susumu Kataoka, në JETRO u konfirmua vullneti i bizneseve japoneze për të eksploruar mundësitë e investimit në Kosovë.
Vizita e organizuar në Kosovë, e një grupi të kompanive japoneze, në nëntor të vitit të kaluar ka qenë hap i rëndësishëm në këtë drejtim, ndërsa platforma J-Bridge paraqet një mekanizëm të mirë për ndërlidhjen e bizneseve në të dy vendet.
Në Keidanren, që njihet si shoqata më me ndikim e bizneseve japoneze, e cila poashtu, përfaqëson mbi 1,000 biznese të mëdha japoneze, Ministri Jagxhiu takoi delegacionin e prirë nga Yoji Saito, Këshilltari Kryesor Global në Mitsubishi Electric.
Bizneset e pranishme shprehën interesim të veçantë për digjitalizimin në ekonominë e Kosovës, në veçanti në sektorin financiar, legjsilacionin tonë në fushën e menaxhimit të të dhënave, dhe investimet në infrastrukturë.
Ndërsa në JOI, që është një platformë strategjike e cila lidh investitorët japonezë me mundësitë ndërkombëtare, ekipi ynë u mirëprit nga Presidenti, Kenichiro Hayashi.
Aty u fol për veprimet konkrete përmes të cilave bizneset japoneze mund të informohen për Kosovën dhe potencialin e bashkëpunimit ekonomik në shumë sektorë.
Gjatë këtyre takimeve, Ministri Jagxhiu, prezantoi progresin ekonomik të Kosovës dhe avantazhet që ofron Kosova në të bërit biznes. Ai poashtu, theksoi zhvillimin e hovshëm të sektorit të TIK-ut në Kosovë, potencialin që e ofron rinia jonë në këtë fushë, punën që është duke u bërë në zhvillimin e ekosistemit të inovacionit, dhe reformat e iniciativat për transformim digjital në qeveri dhe ekonomi.
Ministri Jagxhiu, ftoi organizatat dhe kompanitë japoneze që të vizitojnë Kosovën për të vazhduar dialogun për bashkëpunim me qeverinë dhe bizneset tona në fushën e TIK-ut.
Rrjedhimisht, u dakorduan që këtë vjeshtë, me idenë që të jenë të pranishëm përgjatë OctoberTech, të organizohet një vizitë në Kosovë e kompanive Japoneze të kësaj fushe.
OctoberTech është iniciativë e përbashkët e qeverisë sonë dhe sektorit privat për të mbështetur 3 ngjarjet më të rëndësishme teknologjike në vend: KOSICT, Doku.Tech dhe Growth Tank.