Në kuadër të Procesit të Berlinit, sot u mbajt takimi ministror “People4Europe – Nga reforma drejt gatishmërisë”.
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, mori pjesë në këtë takim, i cili shërbeu si platformë për shkëmbimin e përvojave dhe koordinimin e hapave të mëtejshëm drejt reformave që përshpejtojnë integrimin evropian të vendeve të rajonit.
Gjatë adresimit të tij, ministri Jagxhiu i njoftoi të pranishmit me progresin e arritur në reformimin e administratës publike, duke theksuar se digjitalizimi nuk është i ndarë nga kjo reformë, por është një nga mundësuesit më të fuqishëm të saj.
Ai veçoi avancimin e shërbimeve digjitale përmes platformës eKosova, e cila tashmë ofron mbi 320 shërbime elektronike, si dhe punën e nisur për zhvillimin e eKosova 2.0 me shërbime dhe funksionalitete të reja, duke përfshirë edhe ato të bazuara në inteligjencë artificiale.
Ministri gjithashtu nënvizoi rëndësinë e investimit në kapacitetet njerëzore dhe forcimin e lidershipit si faktorë thelbësorë për ndërtimin e një administrate publike profesionale, efikase dhe të qëndrueshme.
Reformat në administratën publike nuk janë vetëm një proces i brendshëm transformimi, por një rrugë e drejtpërdrejtë drejt integrimit evropian, duke ndërtuar institucione që reflektojnë standardet dhe vlerat e Bashkimi Evropian