Ministri Jagxhiu përmbyll vizitën në Japoni: Thellohet bashkëpunimi për transformimin digjital dhe sigurinë kibernetike

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, e përmbylli vizitën zyrtare në Japoni me një takim të frytshëm me Ministrin e Shtetit për Transformim Digjital të Japonisë, Soichiro Imaeda.

Në takimin ku ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, u vlerësuan marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe vullneti i dyanshëm për thellimin e bashkëpunimit bilateral në frymën e vlerave demokratike që i ndajnë të dy shtetet.

Ministri Jagxhiu e falënderoi Ministrin e Shtetit Imaeda për mbështetjen e vazhdueshme nga Qeveria e Japonisë në fushën e digjitalizimit, e cila është intensifikuar në 3 vitet e fundit përmes dy granteve në vlerë totale prej 800,000 USD, të cilat Kosova i ka përfituar në kuadër të programit Quality Infrastructure Investment, i cili menaxhohet nga Banka Botërore dhe financohet nga Qeveria Japoneze. Kjo mbështetje ka kontribuar në realizimin e aktiviteteve të rëndësishme në planin e veprimit, përfshirë zhvillimin e platformës së katalogut të të dhënave qeveritare, dizajnimin funksional dhe teknik të eKosova 2.0, dizajnimin e katalogut digjital të shërbimeve, dizajnimin e platformës mbarëqeveritare të sistemeve të brendshme, si dhe dizajnimin funksional e arkitektonik të qendrës së integruar të shërbimeve.

Gjatë takimit, Ministri Jagxhiu u informua për zhvillimet dhe qasjen e Japonisë në transformimin digjital, ndërsa prezantoi progresin e arritur në Kosovë dhe synimet e agjendës digjitale të vendit. Palët konstatuan se të dy vendet ndajnë një vizion të përbashkët për transformimin digjital në funksion të mirëqenies së qytetarëve dhe mbi parimin e gjithëpërfshirjes, me synimin që asnjë qytetar të mos mbetet i përjashtuar nga benefitet e këtij transformimi.

Në këtë kuadër, u diskutua për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë në fushën e transformimit digjital dhe sigurisë kibernetike, me fokus në shkëmbimin e përvojave institucionale dhe avancimin e shërbimeve digjitale.

Ministri Jagxhiu dhe Ministri i Shtetit Imaeda u dakorduan për vazhdimin e komunikimit institucional në funksion të avancimit të mëtejmë të partneritetit ndërmjet dy vendeve. Me këtë rast, Ministri Jagxhiu e ftoi Ministrin Imaeda për vizitë në Kosovë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors