Vizitë e ministrit Lulëzon Jagxhiu, në zyrën e Ericsson Nikola Tesla në Prishtinë, me fokus në bashkëbisedim për zhvillimet në fushën e teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë.
Ministri Jagxhiu, u prit nga Kryeshefi Ekzekutiv dhe Presidenti i Bordit, z. Siniša Krajnović, si dhe Drejtori i Zyrës për Kosovë, z. Besar Spahija.
Ericsson Nikola Tesla, kompania më e madhe e TIK-ut në Kroaci, vepron në kuadër të kompanisë suedeze Ericsson dhe është e specializuar në hulumtim, zhvillim dhe inxhinieri.
Si pjesë e grupit global Ericsson, kompania është një nga liderët botërorë në telekomunikacion, me fokus në zhvillimin e rrjeteve mobile 4G/5G, zgjidhje për Radio Access Networks (RAN), si dhe teknologji për transformim digjital dhe siguri rrjetesh.
Gjatë vizitës u vlerësua Qendra për Hulumtim dhe Zhvillim (R&D) në Prishtinë, e hapur në vitin 2022, e cila kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e softuerit dhe funksionaliteteve për sistemet RAN dhe është pjesë e zinxhirit global të inovacionit të Ericsson.
Me mbi 25 profesionistë, të kënaqur me talentin teknologjik të rinisë kosovare dhe me plane për zgjerim te ekipit, kjo qendër po forcon rolin e Kosovës si pjesë e ekosistemit global të inovacionit.
Gjatë takimit, Ministri Jagxhiu e informoi z. Krajnovic për progresin e Kosovës në transformimin digjital, si dhe për reformat dhe iniciativat kyçe që po ndërmirren në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike.
Nga ana tjetër, z. Krajnovic prezantoi veprimtarinë e kompanisë Ericsson Nikola Tesla, e cila përfshin ofrimin e produkteve dhe zgjidhjeve të komunikimeve celulare, zgjidhjeve inovative në kuadër të transformimit digjital, si dhe zgjidhjeve në fushën e sigurisë nacionale.
Prezenca e kompanive globale prestigjioze si Ericsson i shton vlerë ekosistemit të inovacionit dhe industrisë së teknologjisë në Kosovë.
Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike mbetet e hapur për bashkëpunim me kompani vendore dhe ndërkombëtare që kontribuojnë në zhvillimin e kapaciteteve teknologjike, krijimin e vendeve të reja të punës me vlerë të shtuar, fuqizimin e ekosistemit të inovacionit dhe integrimin e Kosovës në zinxhirët globalë të ekonomisë digjitale.