Open Tech Thursdays | #03
Këtë javë, me #OpenTechThursdays, u vizitua Kutia.
Gjatë takimit u diskutua për drejtimin që po merr transformimi digjital i shërbimeve dhe administratës
publike në Kosovë – nga eKosova 2.0, shërbimet e bazuara në ngjarje jetësore dhe integrimi i
inteligjencës artificiale, te platformat mbarëqeveritare që ndërlidhin sistemet e brendshme,
interoperabiliteti, tranzicioni në cloud dhe siguria kibernetike.
U diskutua edhe për rrugëtimin e Kutia dhe transformimin e vazhdueshëm të kompanisë për t’iu
përshtatur zhvillimeve të vrullshme teknologjike të viteve të fundit.
Ministri Lulëzon Jagxhiu, vlerësoi se Kutia është një nga shembujt e mirë se si talenti teknologjik i
Kosovës mund të shndërrohet në ekspertizë dhe zgjidhje digjitale që konkurrojnë në tregun
ndërkombëtar. Nga zhvillimi i software-it dhe ekipet e specializuara inxhinierike, deri te blockchain dhe
inteligjenca artificiale, kompania ka ndërtuar për më shumë se një dekadë zgjidhje për klientë në Kosovë
dhe jashtë saj.
Gjatë vizitës u prezantuan projektet aktuale të kompanisë në fusha si e-shëndetësia, e-legjislacioni, e-
commerce dhe blockchain. U diskutua edhe për sfidat me të cilat përballet sektori, çfarë mund të bëjë
shteti për të krijuar kushte më të mira për zhvillimin e tij, si dhe për mundësitë e reja për bashkëpunim.
“Transformimi digjital kërkon teknologji dhe ide, por mbi të gjitha kërkon njerëz me dije, aftësi dhe
ambicie për t’i kthyer ato në zgjidhje konkrete.”
Pikërisht për këtë ekziston Open Tech Thursdays: për të takuar njerëzit që punojnë çdo ditë me
teknologjinë, për t’i dëgjuar idetë dhe sfidat e tyre dhe për të parë se ku mund të krijohen ura të reja
bashkëpunimi për Kosovën digjitale.