Open Tech Thursdays | #01
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, sot filloi nismën #OpenTechThursdays, një seri vizitash dhe takimesh të rregullta që do të realizohen çdo të enjte me kompanitë e teknologjisë, organizatatat, akademinë, ekspertë dhe komunitetin e teknologjisë në Kosovë.
Vizitën e parë u zhvillua në Data4X, kompani e suksesshme vendore e specializuar në analitikë të të dhënave dhe inteligjencë të tregut, që i kthen të dhënat në analiza dhe njohuri për biznesin dhe vendimmarrjen.
Vizita vjen edhe në një moment të veçantë për kompaninë. Flandra Marmullaku, bashkëthemeluese dhe Partnere Menaxhuese e Data4X, është shpallur ICT Woman Entrepreneur of the Year 2026 nga Regional Cooperation Council (RCC), një vlerësim rajonal për punën e saj në teknologji, inovacion dhe sipërmarrje.
Infrastruktura e të dhënave, interoperabiliteti dhe të dhënat e hapura janë në qendër të transformimit digjital që po ndërtojmë. Për ta bërë këtë transformim të qëndrueshëm, na duhet një dialog i vazhdueshëm me ata që po e ndërtojnë teknologjinë çdo ditë, theksoi Ministri Jagxhiu.
“Prandaj, #OpenTechThursdays nuk është vetëm një seri vizitash. Është një kanal i vazhdueshëm dialogu: të flasim për politikat dhe iniciativat tona digjitale, të marrim inpute e sugjerime, të dëgjojmë çfarë po ndodh në sektor, të kuptojmë sfidat, të eksplorojmë ide konkrete dhe të identifikojmë ku mund të bëjmë më shumë si Qeveri.
Transformimi digjital nuk mund të ndërtohet vetëm. Ai kërkon bashkëpunim me sektorin privat, akademinë, shoqërinë civile dhe komunitetin e teknologjisë.
#OpenTechThursdays është një hap drejt këtij bashkëpunimi, për të dëgjuar më shumë, për të kuptuar më mirë dhe për të ndërtuar më mirë, së bashku”