Qeveria miraton nismën për marrëveshjen me Bashkimin Evropian për “EU Roam Like at Home” dhe Kornizën për Kapacitetet Digjitale!

Pas vendimit të Këshillit të Bashkimit Evropian për autorizimin e hapjes së negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor për përfshirjen në zonën “EU Roam Like at Home”, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës u miratua nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt integrimit të vendit në këtë zonë.

Përfshirja e Kosovës në “EU Roam Like at Home” do t’u mundësojë qytetarëve të komunikojnë pa tarifa shtesë roamingu gjatë udhëtimeve në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa bizneset do të përfitojnë nga ulja e kostove dhe lehtësimi i bashkëpunimit në tregun evropian. Përfitime të drejtpërdrejta do të ketë edhe diaspora e Kosovës gjatë vizitave në vend.

Po ashtu, në të njëjtën mbledhje u miratua edhe Korniza për Ndërtimin e Kapaciteteve Digjitale në Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila vendos një model të unifikuar për zhvillimin e aftësive digjitale në administratën publike.

Kjo kornizë synon të forcojë kapacitetet institucionale, të mbështesë zhvillimin profesional të nëpunësve publikë dhe të avancojë transformimin digjital si një proces të qëndrueshëm që përmirëson cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

Këto vendime dëshmojnë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të avancuar integrimin evropian, për të përshpejtuar transformimin digjital dhe për të ndërtuar institucione më efikase, moderne dhe të përgatitura për sfidat e së ardhmes.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors