Ministri Lulëzon Jagxhiu, me Drejtorin e Përgjithshëm të IKAP-it, Hysen Muzliukaj, dhe ekipin e tij, diskutuan për ecurinë e aktiviteteve dhe angazhimeve aktuale të institutit, si dhe për planet dhe prioritetet për periudhën në vijim.
IKAP ka një përgjegjësi të rëndësishme në ngritjen e kapaciteteve të shërbimit civil, si një nga shtyllat kyçe të reformës së administratës publike.
Gjatë takimit u theksua puna që po bëhet në implementimin e programit të trajnimeve për sigurinë kibernetike për shërbyesit civil, bazuar në platforma të e-mësimit.
Synim mbetet avancimi i mëtejshëm i digjitalizimit të programeve trajnuese që ofrohen nga instituti, i shoqëruar me forcimin e kapaciteteve institucionale të IKAP-it dhe modernizimin e kuadrit ligjor që rregullon funksionimin e tij.
Përqendrimi i shtuar në e-mësim do të krijojë mundësi që çdo nëpunës civil të ketë qasje më të lehtë në trajnime moderne dhe cilësore, nga kudo dhe në çdo kohë.