Takim bilateral mes Ministrit të Digjitalizimit dhe Administratës Publike të Kosovës, z. Lulëzon Jagxhiu, dhe Zëvendësministrit të Shkencës e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Republikës së Koresë, Ryu Je Myung.
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, në kuadër të vizitës së tij në Kore, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, zhvilloi një takim bilateral me Zëvendësministrin e Shkencës dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Republikës së Koresë, Ryu Je Myung.
Takimi konfirmoi marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe vullnetin e përbashkët për bashkëpunim në fushën e transformimit digjital dhe inteligjencës artificiale.
Ministri Jagxhiu falënderoi Republikën e Koresë për mbështetjen në zhvillimin e inovacionit dhe inteligjencës artificiale në Kosovë, përmes Korean Green Growth Trust Fund, nga i cili Kosova këtë vit u shpall fituese e një granti prej 700,000 dollarësh amerikanë.
Zv. Ministri Ryu vuri në pah zhvillimet e infrastrukturës së inteligjencës artificiale që po ndodhin në Kore, legjislacionin e sapoaprovuar që promovon zhvillimin e qendrave të të dhënave për IA, si dhe angazhimet e Koresë në iniciativën AI Global Hub.
Ministri Jagxhiu prezantoi rrugëtimin e Kosovës në fushën e transformimit digjital dhe angazhimet institucionale për implementimin e inteligjencës artificiale në sistemet qeveritare, ndërtimin e infrastrukturës së të dhënave dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore e institucionale në këtë fushë. Ai theksoi gjithashtu rritjen e hovshme të sektorit tech në Kosovë dhe potencialin për bashkëpunim me industrinë koreane.
Gjatë takimit u theksua edhe qasja e Republikës së Koresë për zhvillimin gjithëpërfshirës të inteligjencës artificiale, me fokus që përfitimet nga IA të kenë shtrirje globale dhe të qasshme për të gjitha vendet. Në këtë frymë, pala koreane shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën në zhvillimin e kapaciteteve nacionale për IA.
Ministria e Shkencës dhe TIK-ut dhe agjencitë vartëse të saj kanë një rol kyç në ekosistemin shumë të zhvilluar të digjitalizimit dhe inovacionit në Kore, andaj u vlerësua lart mundësia për thellimin e bashkëpunimit përmes shkëmbimit të përvojave, njohurive dhe ekspertizës.