Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP), në kuadër të Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, në bashkëpunim me SIGMA, mbajti punëtorinë e radhës në kuadër të ciklit të takimeve që synojnë forcimin e rolit të Njësive të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore (NjMBNj) si partnerë strategjikë në administratën publike.
Fjalë hyrëse mbajti Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, znj. Flurije Durmishi, e cila theksoi rëndësinë e zhvillimit të vazhdueshëm të kapaciteteve të NjMBNj-ve dhe rolin e tyre në mbështetjen e reformave në shërbimin civil, duke ofruar edhe mbështetjen e saj në këtë proces.
Pjesë e punëtorisë ishin edhe përfaqësues nga SIGMA, përfshirë z. Lech Marcinkowski, Këshilltar i Lartë i Politikave dhe Udhëheqës i Ekipit për Shërbimin Publik dhe Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, z. Wojciech Zielinski, Këshilltar i Lartë i Politikave, si dhe z. Kaido Paabusk, konsulent ndërkombëtar, të cilët prezantuan praktikat më të mira ndërkombëtare në këto fusha.
Fokus i veçantë i kësaj punëtorie ishte prezantimi i udhëzuesve të hartuar nga DMZP, të cilët përmbajnë udhëzime praktike për procedurat e pranimit në punë, dorëzimit të detyrës dhe intervistave të largimit. Këta udhëzues synojnë të standardizojnë dhe përmirësojnë proceset kyçe të menaxhimit të burimeve njerëzore në institucionet publike.
Gjatë punëtorisë u zhvilluan prezantime dhe diskutime interaktive lidhur me zbatimin e këtyre udhëzuesve në praktikë, si dhe shkëmbim përvojash mbi sfidat dhe mundësitë për përmirësim.
Kjo punëtori përbën një hap të rëndësishëm drejt standardizimit dhe përmirësimit të proceseve kyçe të menaxhimit të burimeve njerëzore.
Ajo kontribuon njëkohësisht në forcimin e rolit të NjMBNj-ve dhe në rritjen e cilësisë, vazhdimësisë dhe profesionalizmit në administratën publike, si dhe në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe orientimit drejt shërbimit ndaj qytetarëve.