Në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike u mbajt takimi me Sekretarët e
Përgjithshëm të ministrive, ku u diskutua për ecurinë e projektligjeve, rregulloreve dhe
proceseve të rekrutimit, me qëllim koordinimin e veprimeve për përshpejtimin e zbatimit
të reformave në kuadër të Planit të Rritjes.
Takimi u organizua pas mbledhjes së radhës të Komitetit Zbatues të Planit të Rritjes, me
qëllim koordinimin e veprimeve ndërmjet institucioneve përgjegjëse për zbatimin e
reformave.
Në fjalën e saj hyrëse, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Digjitalizimit dhe
Administratës Publike, znj. Flurije Durmishi, falënderoi Kryenegociatorin e Qeverisë së
Republikës së Kosovës, z. Jeton Zulfaj, si dhe pjesëmarrësit e këtij takimi, për
mbështetjen dhe angazhimin në krijimin e një forumi të përbashkët për diskutimin e
çështjeve që lidhen me projektligjet, rregulloret dhe procedurat e rekrutimit.
Sekretarja Durmishi vlerësoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, me synim përmirësimin
dhe avancimin e këtyre proceseve në administratën publike.
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Koordinator për Instrumentin për
Reforma dhe Rritje, z. Jeton Zulfaj, prezantoi prioritetet dhe hapat e nevojshëm për
përshpejtimin e zbatimit të reformave, duke theksuar rëndësinë e koordinimit
ndërinstitucional dhe respektimit të afateve të dakorduara.
Gjatë takimit u diskutua për ecurinë e projektligjeve dhe strategjisë, si dhe për
përshpejtimin e miratimit dhe zbatimit të rregulloreve për organizimin e brendshëm të
ministrive dhe organeve vartëse.
Gjithashtu, u diskutua për përshpejtimin e proceseve të rekrutimit dhe plotësimin e
pozitave të lira dhe atyre me ushtrues detyre në administratën shtetërore, në përputhje
me objektivat e reformës së administratës publike.
Në përfundim, u ritheksua rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe
e angazhimit të të gjitha institucioneve për përmbushjen e reformave dhe realizimin e
objektivave të Planit të Rritjes brenda afateve të përcaktuara.