Divizioni i Auditimit të Brendshëm ofron vlerësim të pavarur dhe objektiv mbi sistemet e menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë në përdorimin e burimeve publike.
Lexo më shumë
Misioni i Njësisë së Auditimit të Brendshëm, si pjesë strukturore e Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, e cila zhvillon veprimtari të planifikuar dhe i raporton Ministrit, synon të ofrojë garanci relative për eficiencën, efektivitetin dhe ekonomizimin e menaxhimit të burimeve, për sistemet e kontrollit të brendshëm dhe menaxhimin e riskut. Auditimi i Brendshëm ka për qëllim dhënien e kontributit në përmirësimin e drejtimit, forcimin e menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm, si dhe shtimin e vlerës së institucioneve publike, duke ndikuar në përmirësimin e qeverisjes dhe mbrojtjen e interesave të taksapaguesve.
Detyrat dhe përgjegjësitë e Njësisë së Auditimit të Brendshëm janë:
Ndërmerr auditime të rregullta dhe sistematike në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe në Agjencitë Ekzekutive të MDAP-it, të cilat nuk i kanë të themeluara kapacitetet e auditimit të brendshëm, në përputhje me Ligjin për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike.
Kryen auditimin duke vlerësuar ekonomizimin, efikasitetin dhe efektivitetin e sistemeve të menaxhimit dhe kontrollit të subjektit të audituar.
Bashkëpunon me Zyrën Kombëtare të Auditimit, Komitetin e Auditimit të Brendshëm të MDAP-it dhe Departamentin Qendror Harmonizues të Ministrisë së Financave.
Identifikon mangësitë substanciale në sistemin e menaxhimit dhe kontrollit të MDAP-it dhe ofron rekomandime për përmirësimin e tyre.
Ofron rekomandime për përmirësimin e ekonomizimit, efikasitetit dhe efektivitetit të veprimtarive të MDAP-it.
Vlerëson procedurat financiare dhe operative për përshtatshmërinë e kontrollit të brendshëm dhe ofron këshilla e udhëzime në aspektin e kontrollit për politika të reja, sisteme, procese dhe procedura.
Harton dhe dorëzon Planin Strategjik dhe Planin Vjetor të Auditimit të Brendshëm për rishikim dhe miratim te udhëheqësi i subjektit të sektorit publik dhe te Komiteti i Auditimit.
Harton dhe dorëzon raporte periodike dhe vjetore të auditimit të brendshëm.
Kryen edhe detyra të tjera të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Njësia e Auditimit të Brendshëm është njësi ekuivalente me Divizionin. Udhëheqësi i Njësisë së Auditimit të Brendshëm, në aspektin operativ, raporton tek Ministri, ndërsa në aspektin administrativ tek Sekretari i Përgjithshëm.